Perimkulture

Minimize
Foto

Burimet dhe mënyrat e shpërndarjes së energjisë në serra.

Qymyret, vajrat (naftë dhe solar) dhe gazi natyror janë lëndët djegëse më të përhapura për sigurimin e energjisë në serë. Përdorimi i energjisë elektrike si burim ngrohjeje, në përgjithësi nuk justifikohet për nga pikëpamja ekonomike. Përzgjedhja midis alternativave të ndryshme të ngrohjes bëhet mbështetur në kritere ekonomike dhe të garancive për vazhdimësinë e furnizimit me to. Gazi natyror është një nga format më efektive të ngrohjes, por në këtë rast duhet të parashikohen masa të konsiderueshme sigurimi, për të eleminuar gazrat helmuese që krijohen gjatë djegies së tij.

Ngrohja e serave mund të realizohet me anë të instalimit të sistemeve qendrore, ose individuale të ngrohjes. Sistemet qendrore, gjenerojnë energji nëpërmjet një kaldaje me përmasa të mëdha dhe e shpërndajnë atë një numër të caktuar serash, ndërkohë që në rastin e sistemeve individuale çdo serë ka burimin e vet të energjisë. Zgjedhja midis këtyre dy opsioneve është në varësi të përmasave të ekonomisë (numrit dhe sipërfaqes përkatëse të serave individuale) dhe njëkohësisht të kostove të instalimit dhe të mirëmbajtjes së sistemeve respektive.

Shpërndarja e energjisë në serë mund të realizohet në mënyra të ndryshme, por më kryesoret janë nëpërmjet ujit të nxehtë dhe ajrit të ngrohtë.

Shfrytëzimi i sistemeve që qarkullojnë ujë të ngrohtë është mjaft i përhapur dhe shumë efektiv. Në këto sisteme uji nxehet në depozitat e kaldajës dhe më pas pompohet në një sistem të mbyllur tubash. Energjia e çliruar nga tubat e nxehtë rrit temperaturën e mjedisit përreth tyre dhe të gjithë serës. Tubat që përdoren për qarkullimin e ujit janë në shumicën e rasteve metalikë dhe shpesh shfrytëzohen edhe si shina për lëvizjen e tavolinave të shërbimit dhe të prodhimit, përgjatë rreshtave të bimëve. Avantazhi kryesor i kësaj mënyre ngrohjeje është qëndrueshmëria e sistemit, uniformiteti i kënaqshëm i shpërndarjes së energjisë dhe njëkohësisht ruajtja e temperaturave në serë për disa kohë, në rast të defekteve të mundshme. Kjo mundësohet nga kapaciteti i lartë termik i ujit që gjendet në rrjetin e tubave, apo në rezervuarët e kaldajës.

Kufizimi më i rëndësishëm i kësaj mënyre ngrohjeje është kostoja e lartë e investimit fillestar, që kërkohet për instalimin e sistemit. Për të zvogëluar këto kosto ka gjetur përdorim shfrytëzimi në vend të tubave metalikë i tubave prej polietileni të valëzuar. Këta të fundit shtrihen përgjatë gjatësisë së rreshtave dhe zhvendosen sa herë që kryhen punime të mekanizuara në serë. Pavarësisht nga kostoja e ulët, sistemet me tuba plastikë kanë kapacitete të kufizuara ngrohjeje, për shkak se nuk mund të lejojnë kalimin nëpërmjet tyre të ujit me temperaturë më shumë se 60 0C.

Në sistemet me ajër të ngrohtë energjia e lëndës djegëse i përcillet një shkëmbyesi termik të përbërë nga një numër i madh fletësh të holla metalike. Ajri i ftohtë fryhet me forcë nëpërmjet një ventilatori dhe duke kaluar nëpërmjet fletëve të nxehta metalike rrit temperaturën e vet. Shpërndarja e ajrit të ngrohtë në serë realizohet nëpërmjet shtytjes së ventilatorit, ose nëpërmjet tubave prej polietileni. Këto tuba bashkohen me kaldajën dhe fryhen kur nëpërmjet tyre dërgohet ajri i ngrohtë. Ajri i ngrohtë dhe bashke me të edhe energjia shpërndahet në serë nëpërmjet birave të hapura përgjatë tubave. Ky sistem mund të kombinohet gjithashtu me sistemin e ajrimit të serës, apo me pajisjet që rregullojnë përzierjen e ajrit në serë.

Avantazhi kryesor i sistemeve të ngrohjes me ajër është kostoja më e ulët krahasuar me sistemet me ujë të ngrohtë, por ndërkohë kufizimet e tyre më të rëndësishme janë problemet me uniformitetin e shpërndarjes së energjisë në serë dhe humbjet e shpejta të energjisë nga sera, në rast të defekteve të mundshme.

Në rastet e sistemeve me ajër është shumë e mundur të shfaqet një gradient temperature, përgjatë serës. Zakonisht temperatura pranë kaldajave është më e lartë dhe ndërkohë, ajo zvogëlohet paralelisht me rritjen e distancës nga ajo. Për të kufizuar këtë gradient këshillohet vendosja e këmbyer e kaldajave në serë, instalimi i ventilatorëve horizontalë në tavanin e serës dhe shfrytëzimi i tubave plastikë me bira, për shpërndarjen e ajrit në serë. Mënyra e vendosjes së tubave për shpërndarjen e ajrit në serë ndikon mjaft në efektivitetin e ngrohjes dhe në rritjen e bimëve. Kur tubat varen ne tavanin e serës, energjia e çliruar prej tyre ka prirje të zhvendoset jashtë “zonës së bimëve”, në pjesën e sipërme të serës. Përkundrazi, nëse tubat vendosen pranë sipërfaqes së tokës, efektiviteti i ngrohjes përmirësohet ndjeshëm dhe energjia e çliruar përqendrohet në zonën ku ndodhet masa vegjetative e bimëve.



Kontrolli i temperaturës në serat me ngrohje bëhet në mënyrë automatike nëpërmjet sistemeve të ndryshme. Egzistojnë tipe të ndryshme të sensorëve të temperaturës dhe të termostatëve. Pavarësisht nga kjo, vendosja e tyre duhet të plotësojë disa kritere bazë. Sensorët e temperaturës duhet të vendosen në lartësinë e bimëve, të mbrohen nga rrezatimi direkt diellor dhe të shpërndahen në numër të mjaftueshëm në pika të ndryshme të serës, për arsye se shpesh herë temperatura në serë mund të ndryshojë edhe në distanca shumë të shkurtra.

Ngrohja pasive diellore. Pavarësisht ndikimit të madh në rritjen e bimëve në ato periudha të vitit kur temperaturat e mjedisit janë të pa përshtatshme, ngrohja e serrave me anë të sistemeve tradicionale është e kushtueshme dhe shpesh herë jo ekonomike. Për këtë arsye, kërkohen mënyra dhe sisteme të tjera, më pak të kushtueshme. Situata do të përmirësohej ndjeshëm nëse do të ndërtohej një sistem i atillë që do të akumulonte një pjesë të energjisë diellore që është me bollëk gjatë ditës, për ta çliruar atë gradualisht më vonë. Një alternativë e tillë është ajo e akumulimit të energjisë diellore gjatë ditës në rezervuarë të veçantë uji dhe çlirimi gradual i kësaj energjie gjatë orëve të ftohta të natës.



Në praktikë kjo realizohet nëpërmjet gypave plastikë të mbushur me ujë dhe të shtrirë përgjatë rreshtave të bimëve, brenda në serë. Kjo metodë është eksperimentuar me sukses edhe në Shqipëri. Energjia e akumuluar llogaritet me shifra të konsiderueshme dhe rezultatet flasin për rritje të temperaturave minimale të natës me 2-4 0C, krahasuar me serat ku nuk është aplikuar kjo metodë. Për pasojë është e mundur mbjellja dhe vjelja e prodhimeve nga serat për të paktën dy javë më herët.

Përllogaritet që sasia e energjisë që akumulohet në 1000 m2 serë ku përdoret ky sistem, në periudhën nga 15 Janari deri në 31 Maj të jetë rreth 90 milion kcal e barabartë me sasinë e energjisë që do të çlirohej nga djegia e rreth 11 mijë litrave naftë.