Perimkulture

Minimize
Foto

Bilanci termik në serra.

Serat janë objekt i ndryshimeve të shpeshta të gjendjes së tyre energjetike, për shkak të intensitetit të lartë të shkëmbimit të energjisë me mjedisin rrethues. Ndryshimet në gjendjen energjetike të serës shprehen në variabilitetin e lartë të temperaturës në serë, në kohë të ndryshme dhe bile edhe në pozicione të ndryshme brenda saj në të njëjtën orë të ditës.

Ndriçimi diellor është një kontribues i rëndësishëm i gjendjes energjetike në serrë. Ky kontribut praktikisht realizohet nëpërmjet të ashtuquajturës “grackë diellore”, apo “efekt serë”. Burimi i saj është energjia e rrezatimit diellor. Që të gjithë materialet që përdoren për mbulimin e serave janë transparentë ndaj dritës së dukshme diellore dhe asaj infra të shkurtër. Totali i energjisë diellore, që reflektohet apo absorbohet prej tyre përbën vetëm 10-20 % të të gjithë sasisë së rrezatimit diellor që bie mbi serë. Kjo vlerë sigurisht që ndryshon në varësi të natyrës së materialit mbulues, por gjithashtu edhe në varësi të këndit me të cilin rrezatimi diellor mbërrin në tokë dhe të orientimit gjeografik të serës. Ndërkohë, materialet mbuluese të serave janë pak a shumë opake (të papërshkueshme) ndaj rrezatimit infra të gjatë.



Drita që depërton në serë bën të mundur rritjen e temperaturës së tokës dhe të konstruksioneve të serës. Këto nga ana e tyre, për shkak të rritjes së nivelit energjetik të tyre emetojnë gjithashtu energji. Meqenëse, gjatësia e valës së energjisë së rrezatuar është në përpjesëtim të zhdrejtë me temperaturën e trupit që rrezaton (T4), është e kuptueshme që energjia e çliruar nga trupa me temperaturë vetëm pak dhjetëra gradë (ndërkohë që temperatura e Diellit, përllogaritet në 6 000 0C) do ti korrespondojë një gjatësie vale relativisht të gjatë. Për pasojë, valë të tilla nuk mund ti përshkojnë mbulesat transparente të serës dhe rrjedhimisht çojnë në rritjen e temperaturës brenda saj. Ky fenomen njihet edhe si “efekti serë” dhe është i njëjtë me rolin që luajnë shtresat e sipërme të atmosferës në ruajtjen e ekuilibrit termik të Tokës.

Bilanci termik i serave influencohet nga shumë faktorë, midis të cilëve intensiteti i rrezatimit diellor, intensiteti i ajrimit, sasia e energjisë që çlirohet nga sistemet e ngrohjes, intensiteti i transpirimit të bimëve dhe shuma e humbjeve të energjisë, përbëjnë komponentët kryesorë. Ashtu si duket qartë edhe nga skica që vijon, midis këtyre faktorëve në çdo moment vendoset një ekuilibër termik i përcaktuar i cili mund të shprehet me anë të relacionit;

qf + qi + qa + qr = qc + qt + qp + qg + qe + qs


Komponentet e bilancit energjitik ne serre.
Kur flasim për bilancin energjetik të serës duhet të kemi parasysh që jo e gjithë energjia diellore që hy, mbetet brenda saj. Sera shkëmben ajër me mjedisin që e rrethon dhe bashkë me atë edhe një sasi të konsiderueshme energjie. Në kushtet e një moti pa erë ky shkëmbim është i rangut 0.3 deri në 3 herë në orë. Ndërkohë, një pjesë e energjisë diellore që akumulohet në serë shkon për llogari të ngrohjes së tokës së saj. Kjo në të vërtetë përbën një rezervë energjetike dhe një pjesë e saj çlirohet në serë gjatë natës.

Bilanci energjetik i serave është një ekuilibër i brishtë termik. Ndryshimi i vlerave të cilitdo nga parametrat e mësipërm do të shkaktojë prishjen e tij dhe vendosjen e një ekuilibri të ri, që në praktikë do të thotë vendosja e një niveli të ri të temperaturës në serë.

Format e shkëmbit të energjisë, apo të transformimeve të saj brenda në serë janë të shumta, por si më të rëndësishmet mund të veçohen;



Konveksioni; transferimi i energjisë në serë (vertikalisht) nga një pozicion i serës në tjetrin nëpërmjet zhvendosjeve të ajrit dhe avujve të ujit.

Konduksioni; transferimi i energjisë nëpërmjet materialeve mbuluese, apo të strukturave të serës, nga brenda jashtë saj. Konduksioni është forma kryesore e humbjeve të energjisë nga sera.

Rrezatimi; emetimi i pandërprerë i energjisë nga sipërfaqja e trupave të ngrohtë (serës) në atmosferë.

Kondensimi; procesi i çlirimit të energjisë gjatë shndërrimit të avujve të ujit në gjendje të lëngët.

Infiltrimi; transferimi i energjisë (horizontalisht) nëpërmjet rrjedhjeve të ajrit nga sera nëpërmjet hapësirave të ndryshme që mund të gjenden në strukturat e saj.